Spanja ka njoftuar se do të heqë masën e mbajtjes së maskës në ambiente të jashtme, pasi shkalla e infektimeve me COVID-19 ka filluar të bie dhe spitalet po raportojnë se numri i pacientëve po ashtu është më i ulët.
Mbajtja e maskës në ambiente të jashtme nuk do të jetë obligative nga dita e mërkurë, tha zëdhënësja e Qeverisë spanjolle, Isabel Rodriguez, pasi ekzekutivi mbajti mbledhjen javore.
Kjo masë do të aplikohet edhe për nxënësit, të cilët nuk do të obligohen të mbajnë maska gjatë pushimeve në mes orëve.
Megjithatë, mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë obligative për ambiente të mbyllura, përfshirë edhe gjatë përdorimit të transportit publik, ku njerëzit do të duhet të mbajnë distancë prej 1.5 metrave nga njëri-tjetri.
Masa e mbajtjes së maskës edhe në ambiente të jashtme u vendos dhjetorin e vitit të kaluar, pas rritjes së rasteve për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit, raporton REL.
Sipas të dhënave nga Ministria spanjolle e Shëndetësisë, në periudhën nëntor 2021 – janar 2022, ky shtet raportonte mbi 3,400 infektime në 100,000 banorë. Por, në 14 ditët e fundit, kjo shifër ka rënë nën 2,000.
Autoritetet ia atribuojnë rënien e rasteve nivelit të lartë të vaksinimit. Në Spanjë, 81 për qind e popullatës është e vaksinuar kundër koronavirusit. Që prej fillimit të pandemisë, ky shtet ka raportuar për mbi 94,000 viktima. /Gazeta Sinjali/