Vetëm pak ditë pas finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën 1:0 pas vazhdimeve, dy kombëtaret mund të përballen sërish për një tjetër trofe.
Sipas raportimeve të ESPN dhe gazetarit argjentinas Martín Arévalo, UEFA dhe CONMEBOL po punojnë për organizimin e Finalissimës, ndeshjes mes kampionit të Evropës dhe kampionit të Amerikës së Jugut.
Katari konsiderohet favoriti kryesor për të pritur sfidën, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Lusail, ku Argjentina fitoi Kupën e Botës 2022 ndaj Francës.
Bisedimet për zhvillimin e ndeshjes janë rifilluar menjëherë pas finales së Botërorit. Më herët, negociatat kishin ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve për vendin organizator, pasi Madridi dhe Londra ishin në garë, ndërsa Katari fillimisht ishte lënë jashtë për shkak të situatës gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Nëse marrëveshja arrihet, Argjentina do të ketë mundësinë të kërkojë revansh ndaj Spanjës në stadiumin ku katër vjet më parë ngriti trofeun e tretë të Kupës së Botës.
Sipas raportimeve, Finalissima mund të zhvillohet gjatë dritares zyrtare të FIFA-s, nga 9 deri më 17 nëntor, megjithëse kalendari mbetet pengesa kryesore. Spanja ka dy ndeshje të Ligës së Kombeve gjatë asaj periudhe, ndërsa Argjentina, që tashmë ka siguruar kualifikimin për Botërorin 2030, ka vetëm ndeshje miqësore në program.
Nëse gjendet një datë e përshtatshme, tifozët e futbollit mund të shohin një tjetër duel mes dy kampionëve kontinentalë vetëm pak muaj pas finales së Botërorit 2026.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!