Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur sekuestrim preventiv mbi 128.3 milionë euro, në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e njohur si “dosja e Zvërnecit”.
Sipas vendimit të datës 10 qershor, masat e sekuestrimit lidhen me disa transaksione bankare të kryera përmes llogarisë së noteres Amela Mukaj, të cilat dyshohet se janë përdorur në tre kontrata shitblerjeje të tokave në zonën e Zvërnecit.
SPAK bën të ditur se shumat monetare në euro, që arrijnë mbi 128 milionë euro, do të kalonin përmes kontratave të ndryshme me pronarët e tokave, përfshirë Artur Shehaj, Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj, si dhe kompaninë “Albania Land Development” sh.p.k.
Në vendim theksohet se sekuestrimi përfshin llogarinë bankare të noteres, ku janë depozituar shumat përkatëse nga kontratat e shitblerjes.
Hetimet për rastin vijojnë nga SPAK, ndërsa dosja e Zvërnecit po trajtohet si një nga çështjet më të rëndësishme në fushën e pasurive të paluajtshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!