image SPAK: Rasti Veliaj - të dhënat për “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”

Shqipëri

SPAK: Rasti Veliaj – të dhënat për “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”

news image

Në Tiranë SPAK-u bëri të ditur të premten se në lidhje me hetimet që kanë përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarë të tij, ka të dhëna konkrete jo vetëm për “korrupsion pasiv”, por edhe me vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”.

SPAK ia atribuon këto gjetje hetimeve paraprake dhe provave të mbledhura deri në këtë fazë, lidhur me procedimin penal të regjistruar në muajin shkurt.

Nga hetimet e deritanishme, sipas prokurorisë, “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.

Gjatë hetimeve, po sipas prokurorisë, “janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë”.

Prokuroria e Posaçme shtoi se ky procedim u bazua në informacionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila verifikoi të dhënat dhe administroi provat dokumentare, pas kallëzimit të një shtetasi (i vetidentifikuar si N.A).

Në kuadër të këtij procedimi, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ishte të enjten për më shumë se pesë orë në SPAK. Ai nuk komentoi për gazetarët pasi doli nga Prkuroria e Posaçme.

Zoti Veliaj tha para Këshillit Bashkiak se në SPAK ai ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç u shpreh ai, “nuk ekziston”, megjithatë shtoi se ka qenë bashkëpunues me drejtësinë, ndërsa e cilësoi denoncimin si një kurth të sajuar anonim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Disa ditë më parë në SPAK ishte për afro tre orë edhe bashkëshortja e zotit Veliaj, Ajola Xoxa, në zyrat e kompanive të së cilës u bënë kontrolle nga agjentët e BKH-së, me vendim të Gjykatës së Posaçme, në fillim të dhjetorit dhe iu sekuestrua telefoni celular. Kontrolle u kryen edhe në banesat e vëllait të zotit Veliaj, të cilit iu sekuestrua telefoni celular. Gjykata e Apellit rrëzoi ankimimin e tyre kundër këtyre kontrolleve.

Ndërkaq në mediat vendase u shpërnda një qëndrim nga mbrojtja juridike e zotit Veliaj me komente, ku e cilësohet hetimi i SPAK-ut si dashakeq, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin.

Nisja e procesit hetimor u bë, sipas këtij qëndrimi, pa dyshim të arsyeshëm ligjor, pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme, por vetëm mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara, fiktive. Në të thuhet se nuk kuptohet qartë vepra penale, për të cilën është kallëzuar ose dyshohet Erion Veliaj, ndërsa theksohet që nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të Erion Veliajt, prokurori duhej ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale dhe nga ai çast fillonte llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit, por duke mos e bërë këtë, janë shkelur afatet hetimore.

Në këto komente thuhet se Erion Veliaj dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik qysh nga muaji mars, por kjo është mbajtur e fshehtë nga prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”, ndërsa hetimet u përqendruan te persona konkretë, ndaj Erion Veliaj dhe familjarëve të tij, pa ua njoftuar atyre zyrtarisht këtë status. Prokuroria, sipas këtij qëndrimi, ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave pa një urdhër të posaçëm gjyqësor, pa vendim gjykate dhe pa pëlqimin e përdoruesit, ndërsa celularët u sekuestruan në kërkim të veprës, jo të provës për një vepër penale të përcaktuar.

Në reagim thuhet se “personat në dijeni”, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, por nën hetim de facto, janë ndeshur me frikësim, dhunë, presione e kërcënime për t’i detyruar që të dëshmojnë kundër vetes, dhe duke u mohuar të drejtën për mbrojtje me avokat. Edhe dalja në media e informacioneve mbi hetimin vlerësohet se krijoi hapësirë për interpretime keqdashëse dhe denigruese si dhe një perceptim të fajësisë ndaj kryetarit të bashkisë përkundër prezumimit të pafajësisë, ndërsa hetimi cilësohet si i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për zotin Veliaj, me synimin për ta kapur patjetër në një shkelje penale apo administrative.

Ndaj zotit Veliaj nuk ka një akuzë, ndërsa vijojnë hetimet paraprake mbi procedimin penal, të nisur në shkurt për “korrupsion pasiv”, të cilit u janë shtuar tashmë edhe dyshimet e provat për korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie./VOA/

/GazetaSinjali/