Sot jepet premiera e shfaqjes “Pushimi i kalorësve” me koreografi nga Natalia Osipova, që njëherësh do të shënojë edhe premierën e parë të Baletit Kombëtar të Kosovës për vitin 2020.
Një ditë para premierës, koreografja Natalia Osipova ka dhënë detaje për tematikën e shfaqjes.
“Historia e kalorësve është që vijnë mbas luftës dhe pushojnë në një pyll. Ka plot histori të vogla në këtë shfaqje komedi, është gjithmonë dashuria në të dhe lufta në shfaqje. Në fund gjithçka është mirë dhe buzëqeshim bashkë”, u shpreh ajo.
Osipova që ka realizuar edhe shfaqje të tjera në Kosovë, tha se beson që edhe në të ardhmen do të bashkëpunojë me Baletin Kombëtar të Kosovës.
“Është shfaqje klasike komedi, krejt kanë dhënë nga pak që me u përgatitë koreografia sa më shpejt. Kësaj herë është pak më ndryshe se shfaqja e kaluar, se shfaqja e fundit ka q enë balet modern dhe kjo është klasike. Shpresoj që ndërron pak dhe do të kënaqemi duke e pa këtë shfaqje”, tha ajo.
Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, tha se është bërë një punë e madhe për një kohë shumë të shkurtër.
“Është një balet klasik i zhanrit komedi. Është bërë një punë shumë e madhe për 21 ditë total, një punë shumë e palodhshme prej anës së balerinëve, prej anës së koreografes. Falënderoj shumë secilin që u kanë i përfshirë në këtë projekt, duke u nisur prej balerinëve, koreografes, rrobaqepësit komplet që kanë bërë një punë të shkëlqyer”, tha ai.
Balerina Teuta Krasniqi, tha se kanë arritur që për një kohë shumë të shkurtër të realizojnë një shfaqje shumë të madhe, e për këtë ajo tha se nuk ka qenë e lehtë.
“Kisha dashur të falënderoj koreografen që për një kohë kaq të shkurt e ka bërë një shfaqje shumë të madhe, me vështirësi shumë të mëdha teknike. Nuk ka qenë aspak e lehtë, por ka pasur shumë durim dhe e falënderoj për durimin dhe për punën e palodhshme dhe për çdo gjë që e ka bërë për neve gjatë këtij procesi të punës. Gjithashtu edhe balerinët për krejt koordinimin që e kemi pasur bashkë dhe disiplinën për të mundësuar një shfaqje të vështirë teknike ta formojmë brenda kësaj kohë shumë të shkurt”, tha ajo.
Baleti “Pushimi i kalorësve” do ta vihet në skenë sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës në ora 20:00, ndërsa reprizën e parë do ta ketë më 6 mars. /Gazeta Sinjali/