image Sot rundi i ri i dialogut, a do të ketë takim trepalësh në Bruksel?

Politikë

Sot rundi i ri i dialogut, a do të ketë takim trepalësh në Bruksel?

news image

Sot do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë takim trilateral apo vetëm takime të ndara të palëve me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk e kanë konfirmuan se do të ketë takim të përbashkët ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.

Në ekzekutiv thonë se fokusi i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit.

Nevojën për këtë të fundit e potencojnë edhe në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog.

Takimi trepalësh nuk është mbajtur as në muajin shtator, kur Bislimi dhe Petkoviq kishin udhëtuar në Bruksel, mirëpo ishin takuar vetëm me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak. Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel.

Një muaj më vonë ishte arritur dakordimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, palët ende nuk janë pajtuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.

Në qeverinë e Kosovës insistojnë në nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e mirëbesimit në proces të dialogut, derisa kërkojnë edhe tërheqjen e letrës së Serbisë, të cilën e kishin dërguar në Bruksel vitin e kaluar, ku praktikisht ishin tërhequr nga ujdia e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

/GazetaSinjali/