image Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës, pritet miratimi i 3 marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare

Politikë

Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës, pritet miratimi i 3 marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare

news image

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë një ditë të ngjeshur sa i përket punës së legjislativit.

Për shkak të dështimit të sigurimit të votave në mbledhjet e kaluara, sot para ligjvënësve në ora 10:00 do të jenë serish në rendin e ditës votimi i pesë marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, pro të cilave dje ka shprehur mbështetjen Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Deputetët do të votojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit ndërkombëtar për zhvillim për projektin e fuqizimit të sektorit financiar.

Po ashtu do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Kosovës dhe BERZH për projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan, projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Vazhdim të seancës plenare të Kuvendit do të ketë në ora 10:30 me pikën e vetme të rendit të ditës – votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit të Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Seanca e re plenare e Kuvendit do të fillojë në ora 11.00, në të cilën pritet zgjedhja e një kandidati për anëtar jo ekzekutiv të Bordit të BQK-së, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes KOSTT, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Po ashtu, do të shqyrtohet raporti i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) për vitin 2019, kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, për miratimin e buxhetit.

Pika e tetë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 7 anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, derisa pika e nëntë dhe e fundit do të jetë ajo për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave./Gazeta Sinjali/