Sot pritet të mbahet seanca e parë në rastin e rigjykimit për vrasjen e politikanit serb të Kosovës në vitin 2018, Oliver Ivanoviq.
Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30, shkruan Gazeta Sinjali.
Më 16 janar të këtij viti, janë bërë tri vjet nga vrasja e Ivanoviqit, i cili kishte themeluar dhe drejtonte Iniciativën Qytetare ‘Liri, Demokraci, Drejtësi’ (SDP),që ishte subjekti kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut.
Por, deri më tani, vrasësit apo autorët e atentatit janë ende të panjohur, pavarësisht se prokuroria e Kosovës ka ngritur tri aktakuza deri më tash.
Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ngritur aktakuzën e parë më 2 dhjetor, 2019. Më 30 dhjetor, prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha kishte paraqitur aktakuzën e dytë, të ndryshuar, në bazë të së cilës u mbajt një seancë parapake më 11 shkurt, 2020.
Ndërsa në nëntor të vitit 2020, u ngrit një aktakuzë e re, e treta me radhë, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e dytë të Prokurorisë Speciale, pas kërkesës së palës mbrojtëse, të cilët apeluan vendimin.
Përveç Kosovës, edhe Prokuroria Speciale e Serbisë po heton vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.