image Sot lansohet fushata “T’i japim vendit ngjyra”

Kosovë

Sot lansohet fushata “T’i japim vendit ngjyra”

news image

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, do të lansojnë sot (e martë) fushatën më të madhe kombëtare “T’i japim vendit ngjyra”.

Fushata parasheh që brenda 10 viteve në të gjithë Kosovën të mbillen 1.8 milion drunj.

Fushata lansohet te Këndi Olimpik, që ndodhet në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me fillim nga ora 10:30.

Në lansimin e fushatës, krahas drejtuesve të lartë të KOK-ut dhe ‘Ta pastrojmë Kosovën’ do të marrin pjesë edhe figura të larta të sportit, politikës dhe artit.

E pranishme do të jetë edhe kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, medalistja e bronztë e Evropës, po ashtu në xhudo, Distria Krasniqi, trajneri kampion Olimpik Driton Kuka, pastaj ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Ambientit, Burbuqe Deva Bakija, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Imri Ahmeti, Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuese e UNDP-së, etj.

Mbjellja e 18 drunjve në lansimin e fushatës do të jetë vetëm simbolikë për mbjelljen e 1.8 milion drunjve brenda 10 viteve./Gazeta Sinjali/