Çdo vit në të hënën e dytë të muajit shkurt njerëzit mblidhen së bashku të njoftohen mbi problemet me të cilat ballafaqohen personat që vuajnë nga epilepsia dhe anëtarët e familjeve të tyre.
Shënimi i kësaj dite bëhet për herë të tetë në Kosovë nga ana e Shoqatës kundër Epilepsisë e Kosovës(SHKEK) e cila nga viti 2011 është anëtare e Ligës Internacionale Evropiane kundër Epilepsisë (ILAE).
Për shkak te pandemisë COVID-19, do të ketë aktivitete duke filluar nga shpërndarja e materialeve edukativo shëndetësore, si dhe mesazhet në radio dhe TV. Shpërndarja e materialeve edukativo-shëndetësore, fillon në orën 13:00 në sheshin “Nënë Tereza”.
Epilepsia është një sëmundje me së paku dy sulme epileptike që shkaktohen pa asnjë arsye. Krizat mund të shkaktojnë probleme në kontrollin e muskujve, në lëvizje, të folurit, pamje ose vetëdije, kriza këto të cilat zakonisht nuk zgjatin shumë, por mund të jenë të frikshme.
Ekzistojnë një sërë faktorësh që mund të provokojnë sëmundjen, si: temperatura, traumat e kokës, infeksionet, pagjumësia. Epilepsia mund të shfaqet në çdo moshë./Gazeta Sinjali/