Sot bëhen 12 vjet që kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i një shteti.
Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera, thuhet në tekstin e Kushtetutës me hyrjen në fuqi të së cilës fillon zbatimi i planit të ish-presidentit Martti Ahtisaari.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës shënon fillimin e një periudhe të re të zhvillimeve politike.
Kushtetuta ka hyrë në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë. Institucionet e Kosovës, kanë arritur që për një periudhë të shkurtër kohore, të përgatisin dhe miratojnë 40 ligje që dalin si propozim nga Pakoja e Ahtisaarit.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës kundërshtohet nga përfaqësuesit e serbëve të cilët nuk janë pajtuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila deri tani është njohur nga mbi 115 vende të botës./Gazeta Sinjali/