image Sllovakia dëbon tre anëtarë të Ambasadës ruse

Evropë

Sllovakia dëbon tre anëtarë të Ambasadës ruse

news image

Sllovakia ka njoftuar të hënën, 14 mars, për dëbimin e tre pjesëtarëve të stafit të Ambasadës ruse dhe u ka dhënë afat prej 72 orësh që të largohen nga shteti.

“Sllovakia ka vendosur të dëbojë tre pjesëtarë të stafit të Ambasadës ruse”, ka thënë zëdhënës i Ministrisë së Jashtme sllovake, Juraj Tomaga.

“Ministria e Punëve të Jashtme… në të njëjtën kohë, i bën thirrje Ambasadës së Federatës Ruse që përfaqësuesit e saj të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me Konventën e Vjenës sa u përket marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Ministria përmes një deklarate, pa dhënë hollësi shtesë.

Një faqe sllovake ka thënë – pa cituar burimet e veta – se tre të dëbuarit dyshohet se kanë spiunuar për Rusinë.

Policia sllovake dhe prokurorët kanë njoftuar se do të mbajnë një konferencë për media të martën, për të dhënë më shumë informacione për këtë rast.

Ministri i Mbrojtjes në Sllovaki, Jaroslav Nad, ka thënë se ai mund të konfirmojë se inteligjenca ushtarake i ka ofruar Policisë “informacion kyç të lidhur me këtë rast”.

“Ky është vetëm fillimi. Unë besoj se struktura është hapur mirë. Ne do të vazhdojmë”, ka thënë Nad, raporton REL.

Ambasada ruse në Bratisllavë nuk ka komentuar ende këtë situatë.

/GazetaSinjali/