Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Pejë, ku një 18-vjeçare dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj në mes të rrugës, ndërsa i njëjti tentoi ta fusë me forcë në kamion, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Rasti ka ndodhur rreth orës 21:00 në rrugën “Shpëtim Bojku”.
Sipas informatave, pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit, I. L., rreth 26-vjeçar dyshohet se e ka kapur për flokësh bashkëshorten e tij, E. D., rreth 18-vjeçar, duke e tërhequr me forcë drejt kamionit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se situata ka alarmuar qytetarët dhe në momentet kritike kanë ndërhyrë zyrtarët policorë, të cilët kanë ndaluar incidentin dhe kanë shoqëruar çiftin në Stacionin Policor.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa më pas është intervistuar nga njësia e hetimeve për dhunë në familje.
Sinjali mëson se 18-vjeçarja ka kërkuar të dërgohet në strehimore.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, I. L është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet si “Dhunë në familje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!