Konsumimi i alkoolit i ka kushtuar një 17-vjeçari në Skenderaj, i cili përfundoi në QKUK, si pasojë e goditjeve që pësoi nga një person. I dehur, ai dyshohet se ka sharë të dyshuarin, i cili pa një pa dy u hodh në sulm dhe e bëri për spital. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës, në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit nga Emergjenca dhe kanë njoftuar se i mituri është pranuar në këtë qendër me thyerje të nofullës, për çka po merr trajtim mjekësor.
Përleshja dyshohet se nisi pasi viktima, teksa ishte nën ndikimin e alkoolit kishte nisur me sharje ndaj të dyshuarit A.K, 21-vjeçar. Fjalët e viktimës e mllefosën të dyshuarin, i cili në shenjë revolte e sulmoi fizikisht, derisa e rrëzoi përtokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se Policia është njoftuar për rastin pasi viktima është dërguar në spital për trajtim, me ç’rast një patrullë policore ka marrë deklaratën e të miturit.
Ndërkohë, i dyshuari është identifikuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve për veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.