image Skenari i rrëmbimit të 24-vjeçarit në Prishtinë: Zbulohen edhe tre të dyshuar, zgjerohet pista e hetimeve

Siguri

Skenari i rrëmbimit të 24-vjeçarit në Prishtinë: Zbulohen edhe tre të dyshuar, zgjerohet pista e hetimeve

news image

Hetimet për rrëmbimin si në filma të 24-vjeçarit nga Prishtina janë zgjeruar. Viktima është paraqitur vetë në Polici, derisa janë zbuluar edhe disa të dyshuar të tjerë, të përfshirë në rast, të cilët janë shpallur në kërkim. Gazeta Sinjali ka mësuar detaje të reja për këtë ngjarje që e përjetoi i riu nga Prishtina, pasi ra në grackë nga dy vajza.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas dhjetëra veprimeve hetimore nga Njësia e Hetimeve në Prishtinë janë identifikuar të gjithë të dyshuarit e implikuar në rastin e  rrëmbimit të 24-vjeçarit.

Pas veprimeve të marra nga hetuesit policorë, është gjetur edhe vetura Golf 7, me  të cilën dyshohet se u rrëmbye viktima më 16 prill në lagjen Tasligje të Prishtinës. Vetura ku i riu përjetoi tmerrin, sipas burimeve të Sinjalit është lokalizuar në qytetin e Podujevës, ku më pas është konfiskuar me qëllim të ekzaminimit.

Zbulohen të dyshuar të tjerë, lirohen dy vajzat që vunë në grackë 24-vjeçarin

Sipas burimeve të Sinjalit dy vajzat e dyshuara, njëra 19 e tjetra 22-vjeç, të cilat kanë vënë në grackë të riun, duke e dorëzuar te rrëmbyesit do të hetohen në procedurë të rregullt nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokurori ka marrë vendim edhe për të dyshuarin e tretë, i cili u vetëdorëzua në Polici. Lion Gashi pasi u mbajt për 48 orë është liruar po ashtu dhe ndaj tij do të kryhen hetimet në procedurë të rregullt.

Derisa tre të dyshuar janë liruar, pas veprimeve hetimore janë zbuluar të dyshuar të tjerë.

Sinjali mëson se përveç të dyshuarit Albin Hoxha, i cili gjendet ende në arrati, janë identifikuar edhe tre persona të tjerë, që dyshohen për rrëmbimin e 24-vjeçarit në pikë të ditës.

Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se të dyshuarit që u identifikuan gjatë hetimeve janë A.B., M.K., dhe A.K.,, të cilët gjenden në arrati.

Të gjithë të dyshuarit tashmë janë shpallur në kërkim policor dhe veprimet hetimore janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorin, që të njëjtit të kapen dhe të zbardhet e vërteta e rrëmbimit.

Ndryshe Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë skenë rrëmbimi si në filma, që ndodhi në lagjen Tasligje.

Fillimisht, Sinjali raportoi se katër të dyshuarit, dy vajzat dhe Lion Gashi e Albin Hoxha përgatitën në detaje planin për rrëmbimin e të riut, të cilit i parapriu një sulm me thikë.

Viktima (emër i njohur për redaksinë) fillimisht ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga dy të dyshuarat, të cilat kanë ndihmuar që i riu të rrëmbehet. Dy të rejat pasi kishin komunikuar me 24-vjeçarin, të njëjtin e kanë marrë me një veturë BMW, për ta “dorëzuar” më pas te një veturë tjetër.

Vajzat dyshohet se u ndihmuan në rrëmbimin e 24-vjeçarit, duke e dërguar të njëjtin në rrugën “Hil Mosi”, aty ku e prisnin dy të dyshuarit e tjerë, të cilët e futën në një veturë “Golf 7”, raporton Gazeta Sinjali.

Rrëmbimit i parapriu një sulm me thikë ndaj viktimës, që dyshohet se u bë me “plan” që i njëjti të futet me forcë në veturën e të dyshuarve.

Sipas burimeve të Sinjalit, Policia është njoftuar për rastin, me ç’rast një njësi policore është dërguar në lokacionin ku ka ndodhur ngjarja.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e ngjarjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/