Avokati i Popullit ka alarmuar se kushtëzimi që po aplikohet ndaj qytetarëve për regjistrim të automjeteve, me shlyerje të gjobave në trafik, është antikushtetues. Ky institucion, ka nxjerr këtë konstatim pas hartimit të një raporti të hollësishëm rreth kësaj çështjeje, bazuar në kornizën ligjore dhe kushtetuese të Kosovës si dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Avokati i Popullit ka konstatuar se Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete, neni 43, par. 2 (“Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”) paraqet shkelje të së drejtës së pronës, të garantuar me nenin 46, par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë për Sinjalin, Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit i ka rekomanduar Kuvendit që në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës ta ndryshojnë ligjin për automjete duke fshirë nenin kundërkushtetues. Ky institucion ka kërkuar që çështja e shlyerjes së gjobave të zgjidhet përmes ligjit të aplikueshëm për kundërvajtje që parasheh zbatimin e përmbarimit të detyrueshëm ose ndonjë mase tjetër më pak të ashpër se kushtëzimi i bazuar në ligjin për automjetet.
Ligji për Kundërvajtje në nenin 30 paragrafi 4 thekson se:
“Nëse kryesi pjesërisht ose në tërësi nuk e paguan gjobën në afatin e përcaktuar, do të zbatohet përmbarimi i detyrueshëm në pajtim me dispozitat e Ligjit për Përmbarim. Urdhri kundërvajtës përmes të cilit shqiptohet gjoba do të cilësohet dokument përmbarues në përputhje me dispozitat e Ligjit për procedurën përmbarimore”.
“Në rastin konkret, Avokati i Popullit nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga asnjë autoritet përgjegjës dhe se rekomandimet e Avokatit të Popullit, tani për tani, kanë mbetur pa përgjigje, përkatësisht kanë mbetur të pazbatuara.”, ka theksuar Avokati I Popullit pas interesimit të gazetës Sinjali.
Me këtë heshtje, institucionet përgjegjëse kanë bërë shkeljen e dytë kushtetuese dhe ligjeve të cilat i kanë miratuar vetë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës “çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj” ndërsa sipas ligjit për Avokatin e Popullit “autoritetet, të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar rekomandim, kërkesë ose propozim për ndërmarrjen e veprimeve konkrete, përfshirë edhe masat disiplinore, duhet të përgjigjen brenda afatit tridhjetë 30 ditor. Përgjigjja duhet të përmbajë arsyet me shkrim për veprimet e ndërmarra lidhur me çështjen në fjalë“.
Gazeta dje ka raportuar se si qytetarët e Kosovës po kushtëzohen për regjistrimin e veturave me pagesën e gjobave në trafik.
Madje, ata po detyrohen që fletëpagesat e tyre t`i dorëzojnë në komunat ku janë gjobitur për shkak të mosfunksionimit të sistemit të integruar unik të Policisë./Sinjali/