Për punëtoret shëndetësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pejë, siç duket më prioritet është pirja e kafesë sesa kontrollimi i pacientëve. Një paciente nuk arriti të merrte shërbim nga mjekët e kësaj qendre, në orën 07:32 të mëngjesit të 21 dhjetorit, pasi personeli po bënte “sefa” në bufe. Pamjet ku shihen mjeket e papërgjegjshme i ka filmuar djali i pacientes, i cili po kërkonte një zgjidhje për nënën e tij.
Pamjet e këtij rasti skandaloz i ka dërguar në adresë të Sinjalit djali i pacientes, i cili shihet teksa troket në dyert e mjekëve, të cilët po “pauzonin”, në fillim të ndërrimit. Mjeket shihen në bufe, duke pirë kafen e mëngjesit me njëra-tjetrën, derisa pacientja ishte në hall me tensionin e lartë.
Kjo nuk u bëri atyre përshtypje, por kur e panë djalin e pacientes që po i filmonte ato, të njëjtat u acaruan. Sinjalizuesi i tha Sinjalit se pasi askush nuk i ofroi ndihmë për nënën e tij, ai filloi të incizionte se çfarë po ndodhte. Qytetari madje u përball me insistimin e personelit, të cilët kërkonin që i njëjti ta fshinte incizimin.
Për shkak se nuk arriti të merrte shërbim, pacientja u detyrua të shkonte në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Gazeta Sinjali pas pak ju sjellë edhe versionin e QKMF-së lidhur me këtë rast.