image Skandaloze: "O e lironi ose veprojmë si në 2004-ën"/ I riu kërcënon me trazira nëse nuk lirohet i akuzuari për shpërthimin në Zhur

Siguri

Skandaloze: “O e lironi ose veprojmë si në 2004-ën”/ I riu kërcënon me trazira nëse nuk lirohet i akuzuari për shpërthimin në Zhur

news image

Të premten ka filluar shqyrtimi gjyqësor për rastin e shpërthimit të eksplozivit në zhur të Prizrenit, ku mbeti i vrarë polici Sami Thaçi dhe u lënduan rëndë policët: Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi, raporton Gazeta Sinjali.

Të akuzuar për këtë rast janë Iran Badalli dhe Arben Gashi, të cilët po akuzohen për bashkëkryerje në veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Badalli dhe Gashi dyshohen se kanë montuar eksploziv në katin e dytë të shtëpisë, natën e 28 janarit të vitit 2020, kur zyrtarët policorë kishin shkuar për bastisje, pas një thirrjeje se aty gjenden substanca narkotike.

Mirëpo, një bashkëvendas i të akuzuarit Iran Badallit, me emrin Blerim, ka kërcënuar Gjykatën Themelore në Prizren se nëse Irani nuk lirohet në seancën e ardhshme gjyqësore, ata do të shkaktojnë trazira të ngjashme me ato të marsit, në vitin 2004.*

Sipas tij, eksplozivi nuk është montuar nga Irani, por nga vetë zyrtarët policorë.

“O ta pshu**sha mantillin o avokati b**es. Nuk e ka montu Irani (i akuzuari Irani Badalli). E keni montu vetë. Kush ka qef m’i mytë fëmijët e vet, o r*pt juve. Në seancën tjetër, krejt Zhurin e ki përballë gjykatës. O e lironi ose veprojmë se në 2004. Krejt qytetin çka e ka kallë Zhuri i Madh. Respekt për bashkëvendësit e mi”, ka komentuar ai në lajmin për nisjen e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.



Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020, dyshohet se ishin furnizuar me mjet eksplodues nga Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin mjet e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve, në katin e dytë të shtëpisë së Iran Badallit, çka edhe shkaktoi vdekjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës.

Në natën kritike të 28 janarit 2020, pas një kontrolli të autorizuar nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në kontakt me mjetin eksplodues ra polici Sami Thaçi, i cili edhe humbi jetën si pasojë e shpërthimit të këtij mjeti.

Ndërsa, lëndime të rënda trupore, me pasoja të përhershme pësuan policët Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi.

Gazeta Sinjali mëson se përveç mjetit eksplodues, nga i cili kanë pësuar 4 zyrtarë policorë, në shtëpinë e të akuzuarit Badalli është gjetur edhe eksplozivi “TNT”, në peshë prej 809.1g dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës, në gjatësi prej 63 cm.

Vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor është caktuar për datën 23 korrik 2021.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

*Gjatë trazirave të 17 e 18 marsit 2004 u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, u lënduan mbi 900, dhe u shkatërruan objekte fetare e kulturore. Këto trazira shpërthyen dhe eskaluan në dhunë në gjithë Kosovën pas raportimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë duke ikur nga disa serbë./Gazeta Sinjali/