Gjykata Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, e ka dënuar me një vit burgim efektiv dhe një mijë euro gjobë, zyrtarin e “Money Gram”, Ekrem Zhegrova, i akuzuar për pranim të ryshfetit në sektorin privat.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Isuf Makolli, Zhegrovës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, si dhe do t’i konfiskohen mjetet monetare në vlerë prej 1 mijë e 653 euro.
Zhegrova pati pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet, në seancën e mbajtur më 31 dhjetor të vitit që sapo lam pas.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare në këtë rast, është i akuzuar edhe Gëzim Kryeziu, ekzamineri i Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 7 tetor 2019, ndaj Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas aktakuzës, Gëzim Kryeziu më 18 shtator 2019, rreth orës 11:00, në cilësi të ekzaminerit në Qendër për Patentë të Shoferëve në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën e tij kishte marrë instruksione nga i akuzuari Zhegrova që t’i ndihmonte një kandidates në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.
Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, Kryeziu pretendohet se iu kishte afruar kandidates, duke i treguar me gisht pyetjet e sakta me qëllim që ajo të kalonte provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri.
Për këtë veprim ai akuzohet se “keqpërdori pozitën zyrtare”, nga neni 414 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Kurse, Zhegrova, akuzohet se sa ishte në cilësi të zyrtarit në “Money Gram”, është takuar me të dëmtuarën Sh.G., e cila kishte për t’iu nënshtruar provimit për patentë shofer, e nga e cila kërkon drejtpërdrejtë 500 euro, me qëllim që asaj t’i ndihmojë për të kaluar provimin, duke i dhënë asaj instruksione që të mos plotësonte pyetjet, sepse do ta ndihmonte një ekzaminer. Me këtë veprim, ai akuzohet për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, nga neni 309, i paragrafit 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Gazeta Sinjali pati raportuar për arrestimin e dy të akuzuarve, më 18 shtator të vitit 2019./Gazeta Sinjali/