image Skandali i punësimeve në KEK, kundërpërgjigjet VV: Do të bëjmë padi për shpifje

Politikë

Skandali i punësimeve në KEK, kundërpërgjigjet VV: Do të bëjmë padi për shpifje

news image

Sekretari për Media dhe Komunikim në Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, është shprehur se partia në pushtet nuk është e përfshirë në punësimin e 128 personave në KEK, shumica nga ta familjarë të funksionarëve të VV-së dhe militantë të Vetëvendosjes.

Ai i ka quajtur shpifje raportimet e mediave, duke paralajmëruar edhe padi.

“Lëvizja njofton opinionin publik se nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike. Asnjë zyrtar i LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë nisur hetimet për shkeljet e dyshuara në procesin rekrutues në KEK.

“Pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Prokurorisë

Ndërkohë sot LDK ka dorëzuar kallëzim ndaj kryesuesve dhe anëtarëve të komisionit të këtij konkursi publik dhe ndaj menaxhmentit të KEK-ut.

/GazetaSinjali/