Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin vjetor për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2025, duke dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por duke evidentuar një sërë mangësish në prokurim, menaxhimin e kontratave dhe administrimin e personelit diplomatik.
Sipas raportit, janë dhënë gjithsej 14 rekomandime, prej të cilave 12 janë të reja, një është pjesërisht i zbatuar dhe një tjetër i përsëritur, duke treguar probleme të vazhdueshme në disa fusha të menaxhimit institucional.
Në fushën e prokurimit publik, auditorët kanë identifikuar një aktivitet me vlerë 359,638 euro për renovimin dhe riorganizimin e bodrumit të ministrisë, ku në dokumentacion janë përdorur marka dhe emra të prodhuesve pa arsyetim ligjor dhe pa formulimin “ose ekuivalent”. Sipas ZKA-së, kjo praktikë mund të kufizojë konkurrencën dhe të cenojë trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.
Po ashtu, raporti thekson se në disa misione diplomatike dhe konsullore nuk janë respektuar plotësisht procedurat e prokurimit, duke përfshirë mungesën e specifikave teknike dhe mosmarrjen e të paktën tre ofertave në disa raste, siç parashihet me rregullat në fuqi.
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me tejkalimin e afateve ligjore për shërbimin diplomatik. Sipas ZKA-së, në 20 misione diplomatike dhe konsullore është identifikuar personel që ka vazhduar detyrën përtej mandatit të përcaktuar me legjislacionin përkatës.
Auditorët kanë rekomanduar përmirësimin e kontrollit të brendshëm, respektimin strikt të procedurave të prokurimit dhe garantimin e zbatimit të afateve ligjore për personelin diplomatik, me qëllim forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucion.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!