image Skandal me pesticidet në Kosovë – ndalohet zyrtari i dyshuar

Siguri

Skandal me pesticidet në Kosovë – ndalohet zyrtari i dyshuar

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një person të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, pas një aksioni të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, aksioni është realizuar nga Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, pas hetimeve lidhur me dyshimet për tejkalim të kompetencave zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve.

I dyshuari me inicialet N.M. dyshohet se ka lëshuar leje për disa operatorë ekonomikë për importin e produkteve biocide dhe pesticideve, të cilat dyshohet se janë të ndaluara për përdorim në Republikën e Kosovës, sipas listës së Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit rëndojnë dyshimet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, sipas nenit 427 të KPRK-së.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera kompetente për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/