Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e ka quajtur skandaloz incidentin diplomatik në aeroportin e Shkupit, ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një komunikate, kjo parti ka thënë se duhet dënuar ashpër kjo sjellje ndaj kujtdo, por sidomos ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit.
“Bashkimi Demokratik për integrim dënon fuqishëm incidentin skandaloz diplomatik në aeroportin e Shkupit ndaj Presidentes së Republikës së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani. Kjo pasqyrë e shtetit ndaj çdo qytetari, e në veçanti ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit, e në këtë rast motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova, është e papranueshme dhe duhet dënuar në formën më të ashpër”, thuhet në reagim.
“Involvimi i shefit të sigurimit të Kryetarit jolegjitim të Kuvendit Afrim Gashi në incident, duke e thelluar atë, pa patur asnjë kompetencë, pa qenë të thirrur dhe pa të drejtë, është gjithashtu skandaloz dhe flet zëshëm për gjendjen e mjerueshme dhe vasale në të cilën është përfaqësimi jolegjitim shqiptar në qeverinë monoetnike”, ka thënë më tej BDI-ja.
Po ashtu, për BDI-në skandaloze është edhe përfshirja në këtë incident e shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
“Humbësit e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare pranuan rolin e të nënshtruarit dhe servilit, vetëm për të qenë në pushtet për veten e tyre, duke lënë në mëshirën e VMRO DPMNE-së, fatin e shqiptarëve në vend dhe në rajon. Mungesa e legjitimitetit, por edhe e dijes dhe guximit, të bën të turpërohesh para qytetarëve dhe para motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Uashington e Bruksel”, ka shkruar BDI në komunikatë.
Sipas BDI-së, përgjegjësi politike duhet të japin zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi, sigurimi personal i tij dhe të gjithë të përfshirët e tjerë.