image S’kalon rezoluta e LDK-së kundër sulmeve ndaj integritetit seksual

Politikë

S’kalon rezoluta e LDK-së kundër sulmeve ndaj integritetit seksual

news image

Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës nuk është miratuar rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kundër dhunimeve e sulmeve seksuale.

Për ishin vetëm 26 deputetë, një kundër dhe 34 abstenime. Partia në pushtet, LVV-ja shprehu kundërshtimin e saj, pasi sipas tyre më e nevojshme është nisma e Ministrisë së Drejtësisë për plotësim-ndryshimin e Procedurës Penale dhe Kodit Penal.

Nismëtarja e kësaj projekt-rezolute, deputetja e LDK-së, Dorasa Kica-Xhelili, tha se duhet mobilizim politik për të dënuar dhunën seksuale, përtej fjalimeve.

Ajo tha se rezoluta ka 11 pika, ku kërkohet të profilizohen gjyqtarët dhe prokurorët të cilët ekskluzivisht do t’i trajtojnë lëndët e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual.

“Si mobilizim të vullnetit politik për të dënuar edhe një herë përtej fjalimeve tona edhe më ashpër çdo dhunues, manipulues, sulmues dhe kriminel që kryen vepra penale të dhunimit sulmit, ngacmimit seksual dhe çdo vepër që cenon dhe denigron integritetin seksual sipas kodit penal”, tha Kica-Xhelili.

/GazetaSinjali/