image S'ka mjete shtesë, zjarrfikësit paralajmërojnë protesta

Kosovë

S’ka mjete shtesë, zjarrfikësit paralajmërojnë protesta

news image

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, ka thënë se janë të papranueshme vendimet e ekzekutivit dhe se janë ndjerë të harruar që nga fillimi i pandemisë.

Ai ka thënë se i japin Qeverisë afat deri të hënën e 25 janarit për të marrë një vendim, ndryshe do të pasojnë protestat.

“Nëse Qeveria ka mjete t’i shpërblejë kategoritë e tjera për mjete shtesë në pagë, dhe nuk i kryen obligimet të cilat janë të bazuara në ligje, atëherë kjo është e papranueshme për ne. Zjarrfikësit e kanë pritur këtë vendim dhe gjithsesi kanë kërkuar që t’i ngrisim shqetësimet që përmes organizimit sindikal, të paraqesim edhe protestë. Deri me 25 janar, deri ditën e hëne, nëse nuk na kontaktojnë të diskutojmë për kërkesat, ne do të dalim me datën e caktuar për protestë.”, ka thënë Beka për KP.

Përveç kësaj, Beka thotë se është kërkuar që të kompensohen edhe ndërrimet e natës, festat shtetërore por edhe orët shtesë, gjë që nuk kanë ndodhur deri më tani.

Kemi kërkuar që koeficienti në nivel komunave të nivelizohet, mandej kemi kërkuar që rrezikshmëria të nivelizohet me Policinë e Kosovës, thuajse të njëjtat specifika të punës i kemi. Mandej kemi kërkuar që ndërrimet e natës të kompensohen, nuk janë kompensuar, festat fetare dhe shtetërorë nuk kompensohen dhe orët jashtë orari gjithashtu”, ka thënë Beka.

Beka shton se zjarrfikësit punojnë edhe me kushte të rënda pune e në të njëjtën kohë ballafaqohen me mungesë të stafit të punës.

Gjendja e zjarrfikësve të Kosovës nuk është e mirë, është e rëndë. Jemi në një pozitë të pa definuar, jemi pa status juridik të zgjedhur domethënë, as nuk jemi shërbyes civil, as publik edhe pse kontratat i kemi sipas Ligjit të shërbyesve civilë, mirëpo nuk është e definuar qartë. Jemi pa kushte të punës domethënë me pajisje të dobëta, jemi numër i vogël i zjarrfikësve, mosha mesatare është shumë e lartë, prej 2004, mund të them që shumë pak janë pranuar zjarrfikës në komunat e Kosovës”, ka thënë Beka./Gazeta Sinjali/