image S'ka garanci për furnizim të rregullt me rrymë

Sociale

S’ka garanci për furnizim të rregullt me rrymë

news image

Furnizimi me rrymë në Kosovë, aktualisht, është i mirë, por nuk ka asnjë garanci se kështu do të jetë edhe gjatë dimrit, thonë nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS.

Sipas tyre, furnizimi në stinën më të ftohtë të vitit, kur edhe rritet nevoja për ngrohje, do të varet nga niveli i prodhimit vendor të rrymës, niveli i konsumit dhe çmimi në berzat ndërkombëtare.

Ky i fundit ka ndryshuar shumë gjatë muajve të fundit, për shkak të krizës globale energjetike, të thelluar nga lufta në Ukrainë.

Çmimi i rrymës në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, ka qenë rreth 430 euro për megavat në muajin gusht, krahasuar me 150 euro sa ka kushtuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.Më 24 nëntor, ndërkaq, çmimi ka qenë 265 euro për megavat.

“Çmimet në berza ndërkombëtare, aktualisht, janë dukshëm më të vogla, por nuk dihet se si do të jenë gjatë stinës së dimrit”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Për disa ditë në muajin gusht, qytetarët e Kosovës janë përballur me reduktime të gjata me rrymë, për shkak të rënies së prodhimit vendor – si pasojë e disa riparimeve në termocentrale – dhe kostos së lartë të importit të energjisë elektrike nga jashtë.Që atëherë janë shpeshtuar edhe thirrjet e autoriteteve për sa më shumë kursime.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, nuk iu përgjigjën interesimit të Radios Evropa e Lirë për kapacitetet aktuale prodhuese.

Megjithatë, në deklarimet e mëhershme, KEK-u ka thënë se pas riparimeve të njësive prodhuese në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, prodhimi gjatë dimrit do të jetë me kapacitet të plotë.

Këto termocentrale, që gjenden në Obiliq, prodhojnë 500 deri në 800 megavate energji elektrike në orë, pra shumë më pak se kërkesat për konsum. Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e tyre.

Disa qytetarë të anketuar nga REL-i në Prishtinë thonë se edhe gjatë këtyre ditëve janë duke u përballur me reduktime të kohëpaskohshme.“Tri orë nuk kemi pasur rrymë [më 23 nëntor]”, thotë Albert Morina, i cili jeton në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë.

Ai, po ashtu, tregon se në banesën e tij ngrohen me rrymë, pasi, siç thotë, nuk ka alternativë tjetër.“Oxhaqet në banesën ku jetoj, nuk funksionojnë”, thotë ai. Qerim Hyseni, një tjetër banor në Prishtinë, thotë se ndërprerje të rrymës ka “kohë pas kohe”, por “jo reduktime të mëdha”.

“Frika ime më e madhe për furnizim me energji elektrike është gjatë dimrit. Për dimër po përgatitem se e di që nuk do të ketë [rrymë]. Si ta kursejmë, si jo, nuk do të ketë, pasi është problem i madh gjithkund në botë, e lëre më në Kosovë”, thotë Hyseni.

Ai shton se në shtëpinë e tij ngrohen me energji elektrike, por se kanë edhe alternativën me dru në rast të ndërprerjes së rrymës.Buzhala thotë se ndërprerjet e ditëve të fundit të rrymës, për një numër të kufizuar konsumatorësh, kanë ndodhur për shkak të kushteve atmosferike, që kanë shkaktuar disa prishje.“…por, prishjet janë evituar në kohën më të shpejtë të mundshme. Edhe në kulmin e vërshimeve, që kanë ndodhur ditëve të fundit, mbi 99 për qind e konsumatorëve janë furnizuar me energji elektrike”, thotë Buzhala

/GazetaSinjali/