image Situata në veri/ Vuçiq - NATO-s: Nëse rrezikohen njerëzit, keni 24 orë kohë të ndërhyni - Sinjali

Situata në veri/ Vuçiq – NATO-s: Nëse rrezikohen njerëzit, keni 24 orë kohë të ndërhyni

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli për situatën aktuale në Kosovë, tensionet dhe sulmet në veri, pasi që Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.

Presidenti serb tha se Serbia nuk do të hyjë në Kosovë me trupat e saj dhe nëse rrezikohen njerëzit, ai tha se do të presë që NATO të reagojë brenda 24 orëve. Nëse NATO nuk reagon, ai paralajmëroi se një gjë të tillë do ta bëjë Serbia.

“Serbia ka ngritur vetëm gatishmërinë e saj luftarake, jo ushtrinë dhe policinë. Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës dhe Metohisë për shkak të marrëveshjes së Kumanovës”, ka thënë Vuçiq në TV Pink.

“I thashë Stoltenbergut sot që ne nuk do të hyjmë në Kosovë me trupat tona dhe se nëse njerëzit rrezikohen, ne do të presim 24 orë për ndërhyrjen e NATO -s. Nëse kjo nuk ndodh, Serbia nuk do të lejojë pogromën e serbëve nga Kosova”, shtoi ai.

Vuçiq tha se “pogromi i popullit serb nuk ka filluar ende” dhe se Serbia po e vëzhgon situatën, por gjithashtu po furnizonte njerëzit e saj në Kosovë./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin