Siria rihapi të hënën korridoret jugore të hapësirës ajrore dhe rifilloi operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut, pas qetësimit të situatës së sigurisë në rajon dhe ndërprerjes së shkëmbimit të sulmeve mes Iranit dhe Izraelit.
Lajmi u konfirmua nga kreu i Autoritetit të Përgjithshëm Sirian të Aviacionit Civil dhe Transportit Ajror, Omar Al-Husari, i cili njoftoi se trafiku ajror dhe aktivitetet operative në aeroportin e Damaskut rifilluan nga ora 16:00.
Sipas tij, vendimi u mor pas monitorimit të vazhdueshëm të zhvillimeve dhe një vlerësimi të plotë të rreziqeve nga komitetet përkatëse, me qëllim garantimin e sigurisë së lundrimit ajror sipas standardeve ndërkombëtare.
Autoritetet siriane kishin mbyllur korridoret ajrore jugore dhe kishin pezulluar fluturimet në aeroportin e Damaskut të dielën në mbrëmje, pas sulmeve me raketa të Iranit ndaj Izraelit, të cilat erdhën si reagim ndaj sulmeve izraelite në Bejrut.
Ndërkohë, ushtria iraniane deklaroi të hënën se po ndalte sulmet ndaj Izraelit, por paralajmëroi se do të jepte një përgjigje “shkatërruese” nëse sulmet izraelite kundër Libanit do të vazhdonin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!