image Siria mbyll hapësirën ajrore në Idlib

Botë

Siguri/ Siria mbyll hapësirën ajrore në Idlib

news image

Siria ka ndaluar fluturimin e çdo mjeti ajror civil apo ushtarak mbi rajonin e Idlibit. Mediet turke dhe ato siriane japin raportime kontradiktore për rrëzimin e një avioni apo droni në hapësirën veriperëndimore.

Përballja me forcat turke detyroi të dielën Sirinë të mbyllë për arsye sigurie hapësirën ajrore të Idlibit.

Masa erdhi pasi agjencia turke e lajmeve, Anadollu, raportoi se ushtria turke rrëzoi një avion të palës siriane në rajonin veriperëndimor të vendit.

Mediet shtetërore në Damask informuan për të kundërtën, se në qytetin e Sarakebit ishte qëlluar një dron ushtarak i komanduar nga turqit.

Duke deklaruar ndaljen e çdo fluturimi në rajon, autoritetet siriane thanë se çdo mjet që fluturon në hapësirën e përcaktuar në thyerje të urdhrit do të konsiderohet objektiv armik dhe do sulmohet.

Turqia ka bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të sulmeve në Idlib dhe për armëpushim.

Në pak javë, një total prej 55 ushtarësh turq janë vrarë nga forcat e presidentit sirian Bashar al-Asad, me sulme nga toka dhe ajri, më i rëndi ai i datës 27 shkurt që u mori jetën të paktën 34 ushtarëve.

Ankaraja informon se operacioni i titulluar “Mburoja e Pranverës” që nga ajo ditë ka neutralizuar 1 dron, 8 helikopterë, 72 njësi artilerie të rënda, 3 sisteme të mbrojtjes ajrore dhe mbi 2,200 luftëtarë të regjimit.

Rajoni i Idlibit në Siri është pjesë e një korridori sigurie të dakordësuar mes Turqisë dhe Rusisë në shtator të vitit 2018.

Armëpushimet e vazhdueshme nuk janë respektuar nga regjimi apo grupet antiqeveritare siriane, të cilat vijojnë betejën për territore duke lënë mbi 1,300 civilë të vrarë e rreth 1 milionë të shpërngulur. /Gazeta Sinjali/