Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia gjendet para në periudhe jo të lehtë, por që “do të dijë që të luftojë për interesat shtetërore dhe kombëtare”.
Lidhur me takimin e përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor, të cilin e ka paralajmëruar i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Vuçiq ka thënë që temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por ekonomia.
“Ai ka shtuar edhe që “amerikanët tashmë kanë paralajmëruar se dëshirojnë të flasin për ekonominë”.
“Edhe deri më tash kemi folur për ekonominë dhe jo për çështjet tjera”, deklaroi Vuçiq.
Ai shtoi se ndërmjet SHBA-së dhe Gjermanisë është një “konflikt i madh politik”, por që Serbisë i nevojiten edhe SHBA-ja edhe Gjermania si aleate.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq po ashtu deklaroi që bisedimet me autoritetet e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë janë “ekskluzivisht për ekonominë”.
“Përderisa kemi tema të rënda politike që duken si të pamundura për t’u zgjidhur, ne duhet në mënyrë paralele të punojmë për atë që të përmirësojmë kualitetin e jetës së të gjithë njerëzve, qofshin ata serbë, shqiptarë ose ndonjë i tretë”, ka thënë Bërnabiq.