image Sinjali sjellë emrat e katër anëtarëve të familjes Lushtaku që i zuri sherri me Policinë, dy nga ta ende në arrati

Siguri

Sinjali sjellë emrat e katër anëtarëve të familjes Lushtaku që i zuri sherri me Policinë, dy nga ta ende në arrati

news image

Bastisjet për konfliktin që ndodhi mbrëmë në Skenderaj, ku u plagosën dy policë po vazhdojnë, teksa në Polici ndodhet ish-nënkryetari i kësaj komune Nuredin Lushtaku bashkë me të vëllanë. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ende s’është nxjerrë vendim për ndalim, por që për momentin katër anëtarë të familjes Lushtaku po cilësohen si të dyshimtë.

Përveç Nuredinit, Sinjali mëson se edhe vëllezërit e tij, Fatoni e Arifi, si dhe djali i tij, Arbri, po dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast.

Nuredin Lushtaku bashkë me njërin nga vëllezërit janë dorëzuar në Polici, ku po merren në pyetje nga hetuesit policorë për ngjarjen që ndodhi mbrëmë. Burimet brenda Prokurorisë thonë se edhe më tutje mbeten në arrati dy nga të dyshuarit kryesorë.

Policët që mbetën të plagosur janë Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci, raporton Sinjali.

Çka deklaroi Policia?

Në një njoftim për media, ashtu siç raportoi mbrëmë Sinjali, Policia ka njoftuar se dy zyrtarët policorë janë plagosur në një pikë kontrolli.

“Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pikë të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta”, thuhet në njoftim.

Cili dyshohet se është motivi?

Sipas informatave të para, sherri dyshohet se nisi kur policia e ndali në pikë kontrolli djalin e gjeneralit Nuredin Lushtaku, të cilit i shqiptoi një tiketë trafiku. Kjo u bë sebep që ai të thërras babain e tij, i cili sapo arriti në pikë kontrolli, filloi sherrin më policinë. Në konflikt dyshohet se u përfshinë edhe vëllezërit Lushtaku.

Burimet e Sinjalit nga QKUK njoftuan se njëri nga policët dyshohet se ka marrë plagë në kokë nga mjetet e forta, por përkundër gjendjes së rëndë ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

/GazetaSinjali/