image Sinjali i Mjekut: Urgjencat stomatologjike dhe rreziku i mosreagimit në kohë

Shëndetësi

Shëndetësi/ Sinjali i Mjekut: Urgjencat stomatologjike dhe rreziku i mosreagimit në kohë

news image

Me shpërthimin e Covid-19, njerëzit kanë frikë të lajmërohen te mjeku përveçse në raste të urgjencave të mëdha, por duhet pasur parasysh se rëndësi të madhe ka edhe reagimi i shpejtë për urgjencat stomatologjike, thotë për Gazetën Sinjali stomatologu Leminot Salihu.

Sipas Salihut urgjencat dentare mund të jenë po aq serioze sa edhe urgjencat tjera mjekësore.

“Enjtja e mishit të dhëmbit, faqes ose fytyrës e cila përhapet, dhimbja ngacmuese e dhëmbëve që shkakton  mungesë të gjumit ose përqendrimit, ulçera e gojës që nuk është shëruar pas dy javësh, gjakderdhja pas heqjes së dhëmbit e cila zgjat më shumë se 20 minuta dhe nuk mund të ndalet duke kafshuar në gazë, një dhëmb i thyer i cili shkakton dhimbje dhe dëmtim të faqes ose gjuhës apo inflamacioni i dhëmbit të pjekurisë, këto janë çështje serioze për të cilat duhet reaguar shpejtë” – thotë Salihu.

Sipas doktorit, neglizhenca e këtyre gjendjeve mund të sjellë deri te rreziku për jetë  pasiqë praktikat tregojnë se komplikimet mund të jenë të rënda.

“Nga neglizhenca mund të paraqitet shoku septik dhe atëherë gjendja është e rënduar. Kur bëhet fjalë për këto urgjenca nuk bëhet përjashtim në moshën e pacientit, njësoj si një fëmijë edhe një 80 vjeçar duhet të trajtohet menjëherë” – thotë ai.

Salihu specifikon se pacientët duhet të mos alarmohen për gjendje të cilat nuk janë urgjente dhe mund të presin.

“Një dhimbje dhëmbi e vogël e cila vjen dhe shkon, dhimbje në dhëmbët e pjekurisë pa ënjtje ose hapje të kufizuar të gojës, dhëmbë të ndjeshëm në të ftohtë dhe të nxehtë, mishrat e ndjeshme ose gjakderdhje të vogël, ulçera të gojës që kanë qenë të pranishme për më pak se 10 ditë, një dhëmb i thyer që nuk shkakton dhimbje, kurorë ose faseta të thyera, mungesë rehatie kur vendosen protezat e lëvizshme apo ndërhyrjet estetike në dhëmbë, të gjitha këto mund të presin”-përfundon Salihu.

Doktori apelon për kujdes ndaj shëndetit oral, sipas tij shëndeti i përgjithshëm ndikohet shumë nga shëndeti i aparatit të gojës.