Sindikatat e Pavarura në Kosovë nesër do të mbajnë protestë, shkruan Gazeta Sinjali.
Arsyeja e protestës është shenjë e pakënaqësisë me paga e cila pritet të ndalet tek ndërtesa e Qeverisë dhe do të parashtrohen kërkesat që ata i quajnë reale dhe të arsyeshme.
Njoftimin e plotë të Sindikatave të Pavarura të Kosovës për protestën e nesërme mund ta lexoni më poshtë:
Përfaqësuesit më të lartë të Federatave Sindikale më 4 prill 2022, në Takimin Konsultativ të Federatave Sindikale anëtare të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nën kryesimin e Kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykollit, njëzëri u pajtuan që më 20 maj 2022 të mbahet protesta e Federatave dhe Shoqatave Sindikale, po që se Partneri Social – Qeveria edhe pas Grevës Paralajmëruese 1-Orëshe nuk e nis dialogun social ndërlidhur me shqetësimet reale dhe kërkesat e arsyeshme të të punësuarve.
Këshilli organizativ, i caktuar në takimin e 4 prillit, do të përkujdeset për zhvillimin e qetë të Protestës e cila do të nisë me marshin prej Sheshit Zahir Pajaziti nëpër Sheshin Nëna Terezë në drejtim të Sheshit Gjergj Kastrioti Skënderbeu ku para ndërtesës së Qeverisë, Partnerit Social do t’i parashtrohen sërish publikisht shqetësimet reale dhe kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:
- Vazhdimi i pagesës prej 100€ për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së.
- Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor.
- Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, Ligji Nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te Neni 8, Paragrafi 1 e nënparagrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999
Protesta të zhvillohet me këtë orar:
13:00 – 13:30 Vendgrumbullimi – Sheshi Zahir Pajaziti.
Masa për në vendgrumbullim do të lëvizë rrugës Garibaldi prej Bankës Qendrore në drejtim të Sheshit Zahir Pajaziti, dhe prej Katedrales Nënë Tereza nëpër rrugën Xhorxh Bush në drejtim të Sheshit Zahir Pajaziti
13:30 – 14:00 Ecja nga vendgrumbullimi prej Sheshit Zahir Pajaziti nëpër Sheshin Nëna Tereze për tu ndalur në Sheshin Gjergj Kastrioti Skënderbeu para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës
14:00 – 16:00 Fjalimet para Ndërtesës së Qeverisë
16:00 – 16:30 Shpërndarja