image Sindikata e shqetësuar për kallëzimin penal policëve

Kosovë

Rasti "Gylenistët"/ Sindikata e shqetësuar për kallëzimin penal policëve

news image

Sindikata e Policia së Kosovës ka reaguar në lidhje me ngritjen e kallëzimeve penale ndaj 22 zyrtarëve policorë për rastin e njohur si “Gylenistët”.

Në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës thuhet se janë të shqetësuar në lidhje me trajtimin e zyrtarëve policorë të angazhuar në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars të vitit të kaluar.

“Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre edhe në këto raste, sikur veprojnë edhe në të gjitha rastet e tjera gjatë zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me përpikëri i kryejnë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në harmoni me dispozitat ligjore qe janë në fuqi duke i shërbyer vendit me dinjitet dhe profesionalizëm”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Sipas Sindikatës së Policisë, është brengosëse se si zyrtarët policorë pa fajin e tyre prezantohen dhe linçohen pa bazë edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto raste.

“Në këto raste zyrtarët policorë kanë zbatuar procedurat e parapara me dispozitat ligjore, Ligjit për Policinë, Ligjit për të Huajt dhe ligjeve tjera në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër”, thuhet në reagim.

Sipas Sindikatës së Policisë, kohëve të fundit jo vetëm në këto raste por edhe në shumë raste të tjera Policia e Kosovës është duke gjetur përkrahjen dhe mbështetjen te qytetaret e vendit dhe këtë mbështetje Sindikata e ka kërkuar ta kenë nga të gjitha institucionet e vendit.

Sindikata e Policisë së Kosovës në reagimin e saj ka thënë se mbështet të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës që janë të bazuara në ligjet në fuqi dhe kryerjen detyrave me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Nëse vazhdon një përbuzje dhe trajtim i tillë i këtyre pjesëtarëve nga kushdo qoftë, sindikata do të shfrytëzoj të gjitha mjetet sindikale që ka në dispozicion për tu dal në mbrojtje. Sindikata kërkon nga institucionet e vendit të kryejnë obligimet e tyre karshi obligimeve që kanë ndaj këtij shërbimi”, thuhet në reagim./ Sinjali/