image Sindikata e Policisë së Kosovës nis paditë ndaj Qeverisë për mosplotësim të kërkesave të tyre

Siguri

Sindikata e Policisë së Kosovës nis paditë ndaj Qeverisë për mosplotësim të kërkesave të tyre

news image

Zyrtarët policorë të Kosovës po kërkojnë pagën e tyre jubilare, të 13-tën dhe shujtën ditore që sipas tyre u janë premtuar nga qeveria e kaluar dhe i kanë të garantuara me ligj, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, ka thënë se teksa janë shprehur të diskriminuar, qindra zyrtarë policorë kanë nisur paditë ndaj qeverisë.

“Tani kanë filluar policia që të bëjnë ankesat, apo paditë në gjyq në regjione të ndryshme. Kjo padi ka filluar që dy muaj, me kërkesën e punonjësve të PK-së, ne si sindikatë jemi detyruar që të bisedojmë me disa avokatë dhe kanë marrë përsipër dy avokatë që të marrin ankesën për rrogën e 13, për shujtën dhe për rrogën jubilare. Në bisedime jemi të përditshme me avokatin dhe PK është në vazhdimësi të këtyre kërkesave. Ende ne nuk kemi takim me ministrin Sveçla”, tha ai për KP.

Tasholli tha se nëse zotohet ministri dhe kryeministri që rroga e 13-të dhe shujta hynë në fuqi, ata mund të tërheqen nga padia.

“Nëse zotohet ministri dhe kryeministri që rroga e 13 dhe shujta do të hyjnë në fuqi, ne mund të tërhiqemi nga padia. Sepse, ish-kryeministri Hoti kemi pasur premtim që nga 1 janari, shujta të hyjë në fuqi. Nuk ka fare”, shton ai.

Ai njofton se ka pasur pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët paditë e tyre i kanë dorëzuar para dy muajve.

Tasholli tregon se gjatë ditës së djeshme kanë bërë kërkesë për takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Mirëpo nga kjo javë, veç tani kemi me qindra kërkesa që kanë bërë për padinë në gjykatë për këto tri pika”, njofton ai.

Kreu i Sindikatës së Policëve të Kosovës, theksoi se tash e sa vjet po kërkojnë sigurime shëndetësore, përkundër që janë premtuar, asnjëherë nuk është realizuar një gjë e tillë.

Mes tjerash, flet edhe për pakënaqësitë që kanë për pensione.

“Duke parë rrezikshmërinë e policisë, e cila punon ditë-natë pa u ndalur, e cila ka vështirësi të jashtëzakonshme në punë. Edhe detyrohet të punojë deri në moshën 65 vjeçare dhe polici i Kosovës në moshën 65 vjeçare del në pension me 90 euro. Si një amvise apo bujk që merr ndihmë sociale. Nuk kemi hasur në mirëkuptim asnjëherë”, shton ai./Gazeta Sinjali/