image Sindikata e Policisë dënon dhunën ndaj personit duarlidhur

Kosovë

Sindikata e Policisë dënon dhunën ndaj personit duarlidhur

news image

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Shaban Tasholli,  ka deklaruar për Sinjalin se Sindikata e dënon çdo forcë të tejkaluar të policisë së Kosovës.

Ai e ka bërë këtë deklaratë duke iu referuar pretendimeve të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Policisë për përdorim të paautorizuar të forcës nga komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjoka dhe pesë zyrtarë policorë ndaj një qytetari nën pranga.

“Nëse ata e kanë tejkaluar autorizimin zyrtar le të ballafaqohen. Ne nuk jemi me falë gabim.  Përdorimi i forcës ndaj njeriut duarlidhur (në pranga) nuk lejohet dhe normalisht e dënojmë nëse ka ndodhur kështu”, ka deklaruar për Sinjalin kreu sindikal i Policisë.

Tasholli  ka kërkuar lirimin e zyrtarëve policorë të suspenduar ndërsa ka shtuar se hetimi ndaj tyre mund të vazhdojë në procedurë të rregullt gjyqësore. Ai nuk ka dashur ta komentoj vendimin e Inspektoratit Policor duke thënë se sindikata nuk ka qasje në prova.

“Asnjë lëndë të ankuesit nuk e kam pa përveç raportit të policisë ku thuhet se policët kanë pasur të bëjnë me një kriminel, i cili i ka 36 vepra penale. Derisa e kanë shti situatën nën kontroll është e mundur që policia është polici dhe ka vepruar sipas rregullave që i ka, mirëpo ndoshta inspektorati ka gjetë diçka që është tejkalu shoqërimi i tij në stacionin e policisë”

Por ndryshe nga këto deklarata, Sinjali nga burimet në Kryeministri ka marr vesh se Tasholli është ankuar të martën, para kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, për padrejtësitë që sipas tij, janë bërë me rastin e suspendimit të zyrtarëve policorë në Gjakovë.

Sipas këtyre burimeve, ai është ankuar te kreu i Qeverisë se forca e përdorur nga policia ka qenë proporcionale ndërsa suspendimi i padrejtë.  Tasholli, sipas këtyre burimeve, poashtu ka thënë se Ombusdpersoni ka dërguar ankesë vetëm në bazë të deklaratës së të dyshuarit i cili ka në dosje 42 vepra penale dhe inspektorati pa hetim të mirëfilltë e ka dërguar rekomandimin te drejtori. Më tutje raportohet se  kreu sindikal ka njoftuar se ka pakënaqësi të policëve duke paralajmëruar mundësinë e organizimit të  protestave. Por, Tasholli i ka mohuar këto duke thënë se gjithçka le t`i mbetet hetuesisë.

Lidhur me situatën e fundit, kreu i Sindikatës përveç kryeministrit në dorëheqje, ka zhvilluar takime  edhe me drejtorin e Policisë, Rashit Çalaj, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa dhe zëvendësin e Avokatit të Popullit. Ai i shoqëruar nga Bekim Dervishi kryetar i degës sindikale në Gjakovë ka vizituar edhe komandantin e stacionit policor në Gjakovë.

Burimet brenda Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe stacionit policor në Gjakovë kanë konfirmuar se suspendimi i zyrtarëve policorë nuk është bërë për shkak të ndjekjes dhe arrestimit të  së paku një personi të përfshirë në vjedhje të rëndë, por për shkak të dyshimit se ndaj personit të arrestuar brenda stacionit policor dhe nën pranga është ushtruar dhunë, gjë që paraqet vepër penale.  

Kujtojmë se rasti për të cilin janë suspenduar zyrtarët policor kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa ata u suspenduan nga puna më 8 gusht. Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë ngjarje. /Sinjali/