image Sinani: Humbësit e zgjedhjeve e eliminuan politikisht Kamberin nga parlamenti e më rrëzuan mua nga kryetarja e Komunës

Rajon

Sinani: Humbësit e zgjedhjeve e eliminuan politikisht Kamberin nga parlamenti e më rrëzuan mua nga kryetarja e Komunës

news image

Sot Ardita Sinani u shkarkua nga pozita e kryetares së komunës së Preshevës, e vendin e saj e zuri ish-kryetari, Shqiprim Arifi.

Pas kësaj, Sinani ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se humbësit e zgjedhjeve e eliminuan politikisht Shaip Kamberin dhe e rrëzuan atë nga karrigia e kryetares së Preshevës.

“Dy humbësit e zgjedhjeve para pak ditësh, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, kryen sot puçin e tyre nga lart. Nuk përfillen as Shqipërinë dhe Kosovën. Populli nuk i deshi për deputet. U hakmorën ndaj meje. Me gishta në Kuvend, pa vota të qytetarëve. Eliminuan politikisht Shaip Kamberin nga parlamenti dhe më rrëzuan mua nga Kryetarja e Komunës. Realizuan skenarin. Karriget i morën, por eliminuan veten nga populli. Sikurse pushteti i tyre në Preshevë, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, janë tashmë në anën e kundërt të popullit. Janë pakica ekstreme e tij. Siç u pa edhe sot, kur shumica dërmuese e përfaqësuesve politikë të Luginës ishin te Kryeministri i Kosovës, ndërsa ata dy të vetmuar dhe të izoluar, në errësirën e “bunkerit” të tyre puçist, në periferitë e Preshevës. Nga aty kaluan padinjitetshëm në administratën komunale”.

“Ky pushtet i ri në Preshevë është produkt i degradimit të politikës shqiptare në Luginë. Është pushtet i grabitur ditën nga marrëveshjet e fshehta të natës. Presheva ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja për ta ndërtuar një qeverisje legjitime nga vota e popullit dhe jo nga pazaret e individëve vendorë dhe rajonal. Puçistët nga lartë e kanë tashmë makth të përditshëm përballjen me popullin, prandaj edhe do ta bëjnë të pamundurën me shty deri në ditën e fundit ballafaqimin me kutitë e votimit. Vazhdojmë bashkë. Mobilizohemi, organizohemi dhe angazhohemi”, deklaroi ajo.

Kujtojmë që në zgjedhjet e Serbisë që u mbajtën më 3 prill, por shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit garuan me dy lista zgjedhore por nuk e fituan asnjë deputet.

/GazetaSinjali/