image Simmons deklaron se EULEX-i ka bërë presion Drejtësisë për të dhënë vendime politike kundër UÇK-së

Drejtësi

Simmons deklaron se EULEX-i ka bërë presion Drejtësisë për të dhënë vendime politike kundër UÇK-së

news image

Ish-kryegjyqtari i Misionit të Zbatimit të Ligjit në Kosovë, Malcolm Simmons, ka akuzuar misionin EULEX se rastet e dëgjuara kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë të ndikuara politikisht, transmeton Gazeta Sinjali.

Simmons, tha se ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve, Charles Smith, kishte dhënë vendimet e tij duke u bazuar në ndërhyrjen politike.

Sipas Exit News, Smith i kishte kërkuar kryegjyqtarit Simmons që çështja kundër Fatmir Limaj, i njohur si rasti “Kleçka”, të programohet për një gjyq “ASAP”.

Në emailin e tij të dërguar më Janar 2013, Smith kishte deklaruar se kërkesa bazohet në një sërë arsyesh, “kryesisht politike”.

“Unë shpresoj që ju të merreni me këtë çështje dhe ta zgjidhni shpejt”, kishte shkruar Smith në emailin e dërguar Kryegjyqtarit Simmons.

EULEX e dërgoi për gjykim rastin “Kleçka” në vitin 2011 dhe gjyqi nisi në janar 2012, duke u bazuar kryesisht në dëshmitë e dëshmitarit kryesor, Agim Zogaj, i cili u vetëvra gjatë kohës që ndodhej nën mbrojtjen e EULEX-it në Gjermani.

Pasi Limaj ishte liruar nga akuzat në 2012, Gjykata Supreme e Kosovës kishte urdhëruar një rigjykim dhe Limaj u burgos.

Çështja u mbyll në maj të vitit 2017 pasi Gjykata Supreme e Kosovës lëshoi një vendim ku rrëzoi akuzat për krime lufte kundër Limajt.

EULEX kundër Malcolm Simmons

I kontaktuar për të komentuar mbi pretendimet e Simmons, EULEX deklaroi se gjykatësit dhe prokurorët e tij ishin autonomë dhe të pavarur.

Tutje, ai shtoi ata hetuan dhe gjykuan bazuar në ligj dhe se Malcolm Simmons “refuzoi të bashkëpunonte me një ekip hetimi të udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili u krijua për të hetuar shkeljet e pretenduara të raportuar prej tij”.

“Kur iu dha mundësia për të provuar pretendimet e tij, zoti Simmons dështoi t’i sigurojë ekipit hetimor ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tij,” shkruhet në përgjigjen me shkrim të EULEX.

Sipas EULEX-it, kishte ndodhur një hetim i pavarur i udhëhequr nga një ish-gjykatës i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë ku shqyrtuan pretendimet e shkeljeve nga Simmons në tre çështje individuale gjatë kohës së tij si gjykatës për EULEX.

Në lidhje me këtë, ish-kryegjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, ka thënë  se procesi disiplinor ishte “një tallje”.

“Procesi u krijua për të dhënë idenë e të qenit i besueshëm dhe i ligjshëm,” ka thënë Simmons.

Ai shtoi se hetuesit, kishin në dorë postën e tij elektronike private duke pretenduar se vetëm pasi një gjykatës i një vendi anëtar të BE-së, i punësuar nga EULEX, hakoi postën e tij elektronike private, atëherë Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm filloi procedurat disiplinore kundër tij.

Simmons tha se emailet zbuluan se ai ishte një sinjalizues që raportoi tek Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe agjencia e BE-së kundër mashtrimit “çështje me shqetësim serioz brenda EULEX”.

Ekziston një email i dërguar një zyrtari të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në 2013, përmes të cilit Simmons ngre këto shqetësime duke përmendur një bisedë që ai mbajti me Charles Smith për çështjen” Kleçka”.

Në një email konfidencial të dërguar më 11 Korrik 2013, Simmons citon se Smith ka thënë “E dini që misioni po pret dënime?”.

“Ndërsa u ndamë […] ai [Smith] tha “fatkeqësisht do të ketë shkurtime të vendeve të punës si pasojë e ristrukturimit… të shpresojmë që nuk do të humbas gjyqtarët e mi më të mirë”. Unë u sigurova nga ato që ai po më thoshte, ” shkroi Simmons.

Simmons këmbëngul se qëllimi i procesit disiplinor ishte ta largonin atë nga misioni.

“Procesi ishte i mangët dhe u manipulua nga EEAS […] me bashkëpunimin e anëtarëve të bordeve disiplinore,” shton ai.

Charles Smith, aktualisht është një nga gjyqtarët ndërkombëtarë të emëruar për të shërbyer në Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) me qendër në Hagë.

Zyra e Prokurorit Specialist (SPO) dhe KSC u krijuan nga parlamenti i Kosovës me këmbënguljen e ndërkombëtarëve në gusht 2015.

Ai pasoi një raport të Këshillit të Evropës në 2011 në të cilin Senatori Zviceran Dick Marty adreson krimet e pretenduara që “anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë” nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Disa zyrtarë të lartë të UÇK-së janë paditur nga SPO dhe KSC deri më tani, në mes të cilëve edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e parlamentit Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi .

Qendra e paraburgimit në Kleçka përmendet gjithashtu në aktakuzën e konfirmuar kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

“Midis të paktën nëntorit 1998 dhe qershorit 1999, disa anëtarë të UÇK-së arrestuan të paktën 20 persona për periudha të ndryshme kohore dhe pa procedurë të rregullt ligjore në një shtëpi dhe ndërtesat përreth afër Kleçkë / Klečka, Lipjan / Lipljan. Të paraburgosurit u lidhën, dhe u mbajtën me roje të armatosur. Në vitin 1999, shumë anëtarë të UÇK-së, përfshirë Kadri VESELI, Rexhep SELIMI, Jakup KRASNIQI dhe Fatmir LIMAJ, ishin të përfshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit dhe / ose lirimit të të arrestuarve të mbajtur në vendin e paraburgimit afër Kleçkë / Klečk”, shkruan në aktakuzën e SPO-s.

Exit News kontaktoi me KSC, duke pyetur se si kërkesa e pretenduar e Charles Smith që rasti i Kleçka të gjykohet sa më shpejt të jetë e mundur, për shkak të “arsyeve politike”, do të ndikonte në besueshmërinë e KSC.

“Këto pretendime janë ngritur nga Z. Simmons në lidhje me çështjet gjyqësore të tij në lidhje me punësimin e tij në EULEX dhe Zyrën e Jashtme Britanike. Ne nuk komentojmë pretendime të tilla”, ka thënë zëdhënësja e KSC, Angela Griep në një përgjigje me shkrim./Gazeta Sinjali/