Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi se nga mëngjesi i sotëm situata në pjesën veriore të Mitrovicës është “e qetë, por e tensionuar”.
Për RTS ai tha se disa nga njësitet e Policisë së Kosovës që kanë hyrë mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës janë ende të dislokuara në periferi të qytetit, shkruan N1info.
“Një natë tjetër pa gjumë është pas nesh për shkak të përpjekjes së Prishtinës për të pushtuar veriun e Kosovës. Dikujt nga jashtë mund t’i duket se situata është normale që nga mëngjesi, por këtu po zien”, tha Simiq.
Ai po ashtu vlerësoi se nuk ka rrethana destabilizuese që do të arsyetonin dërgimin e policisë në veri të Kosovës.
“Plani i Albin Kurtit është i qartë, për të bërë presion të tillë mbi serbët që ata të tërhiqen nga këto zona”, tha Simiq.
Ai shtoi se serbët nga veriu i Kosovës do të bëjnë “gjithçka për ta ruajtur paqen”, por gjithashtu vlerësoi se nuk është e mundur të parashikohen lëvizjet e ardhshme të Prishtinës.