Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se nuk ka kohë më të mirë për vizitën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në Kosovë, sesa nesër. Sipas tij, në këtë mënyrë, qytetarëve po u dërgohet mesazhi se nuk harrohen dhe se shteti i Serbisë vazhdon t’u ofrojë atyre mbështetje të plotë.
Simiq tha se vizita e çdo zyrtari të Serbisë do të thotë paqe për qytetarët dhe se ardhja e kryeministres është e rëndësishme para së gjithash për shkak të numrit të madh të projekteve që, siç thotë ai, nënkuptojnë jetë për serbët në Kosovë dhe realizohen falë udhëheqësve serbë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministres Bërnabiq.
“Serbët në Kosovë presin që vizita të shkojë mirë. Përfaqësuesit politikë të serbëve do të insistojnë në bisedimet me kryeministren që të vazhdojnë investimet në projekte, për të vazhduar luftën për të drejtat dhe interesat e popullit serb në dialogun me Prishtinën.
“Ne do të dërgojmë një mesazh të qartë se besojmë vetëm në shtetin e Serbisë, se është vetëm vendi ynë, se besojmë në presidentin Vuçiq, udhëheqjen tonë shtetërore dhe do të kërkojmë që investimet në komunat, fshatrat serbe, të vazhdojnë me me të njëjtin intensitet si deri tani, siç ka qenë në vitet e fundit”, tha Simiq.
Kryeministrja e Serbisë do të hyjë me letërnjoftim në territorin e Kosovës, teksa Simiq thotë se identifikimi do të jetë i njëjtë “sikur të ishte në ndonjë pjesë tjetër të Serbisë”.
Simiq tha se kryeministri Albin Kurti nuk po mundet ta fshehë zemërimin e tij për gjithçka që kryesia shtetërore e Serbisë po bën për të stabilizuar situatën në terren, raporton KosovoOnline.