Përleshjet mes të burgosurve në qendrat korrektuese në vendin tonë nuk janë edhe aq të rralla. Rastet e tilla më të shpeshta raportohen në Burgun e Dubravës, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë një mosmarrëveshje për shfrytëzimin e telefonit ka shkaktuar përleshje mes të burgosurve, sot në orët e paradites.
Në rast janë përfshirë dy të burgosur, që janë në vuajtje të dënimit për vepra të ndryshme penale dhe që të dy janë 30-vjeçarë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i burgosuri A.G., e ka sulmuar të burhosurin K.M., derisa ishte në pritje për ta shfrytëzuar telefonin, duke e goditur me një mjet, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore.
Si masë parandaluese që të mos eksalohet situata, oficerët kanë ndërhyrë, ndërsa i burgosuri që u sulmuar është dërguar në Spitalin e Pejës për trajtim mjekësor.
Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, që ka urdhëruar inicimin e rastit për “Lëndim të lehtë trupor”.