Shpeshherë ka pasur raportime nëpër media për punësime të familjarëve gjatë Qeverisë Kurti, që pothuajse gjithmonë janë mohuar nga pushteti.
Mbrëmë në emisionin “Pressing”, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, e pranoi se motra e tij është e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë.
Ministri Faton Peci fillimisht u pyet nëse ka ndonjë familjar të Gashanit të punësuar në ministrinë që ai e udhëheq.
“Nuk e di”, ishte përgjigja e Pecit, por vetë Gashani e pranoi.
“Po, është në vitin 2022, motra ime ka hyrë në projekt, jo direkt. Por, me projekt”, ka thënë Gashani.
Gashani e pohoi dhe shtoi se motra e tij “nuk është duke shkuar fshehur në punë”.
Pastaj ministri Peci shtroi pyetjen se a është pranuar motra e Gashanit përmes konkursit publik.
“A është konkursi publik?”, tha ai.
“Jo për besë unë nuk e kam ditë, unë nuk e kam ditë”, tha Peci e pastaj e pyeti Gashanin se çfarë mbiemri ka motra e tij.
“Berisha”, u përgjigj Gashani.
“E okej, për qata më ka ikë, nuk e pasna ditë”, tha Peci, teksa Gashani ia aprovon fjalët duke thënë “absolutisht”.