Një polic në Podujevë ka pësuar lëndime të lehta trupore mbrëmjen e së hënës gjatë orarit zyrtar të punës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, teksa policia po kryente kontroll të zakonshëm.
Patrolla e policisë i kishte kërkuar shoferit të veturës që të ndalej për kontrollë, por në veturë kishte rastisur të jetë Evan Potera, një person me të kaluar kriminale, raporton Sinjali.
Potera kishte pranuar fillimisht ta respektonte urdhrin e policëve për ndalim, por sapo u ishte afruar konave të vendosur në rrugë, ai kishte bërë një kthesë të rrezikshme, mëson sinjali nga burimet. Aty kishte goditur një zyrtar të Policisë së Kosovës, i cili për t’iu ikur lëndimeve më serioze kishte kërcyer që ta shmangte veturën.
Policia në Podujevë kishte ndjekur veturën e Poterës, por nuk ia kishte dalë ta kapte të dyshuarin.
Polici ka marrë ndihmë mjekësore pas lëndimeve në këtë incident.
Sinjali kishte raportuar edhe mbrëmë se një zyrtar policor ishte goditur me veturë nga një person./Sinjali/