image Si u kap inspektori tatimor duke marrë mijëra euro ryshfet/ Detaje nga arrestimet në ATK - Gjilan

Siguri

Si u kap inspektori tatimor duke marrë mijëra euro ryshfet/ Detaje nga arrestimet në ATK – Gjilan

news image

Gazeta Sinjali raportoi se Drejtoria për Hetimet e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka arrestuar mbrëmë dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës në Gjilan për marrje ryshfeti.

Sinjali mëson se në prangat e policisë gjatë këtij aksioni ranë drejtori i Drejtorisë Regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës në Gjilan, Alban Qerimi dhe inspektori tatimor i kësaj administrate, Bajrush Bunjaku.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan, bëjnë të ditur se Bunjaku kishte shkuar javë më parë në lokalin “Elektroin” në Gjilan dhe ia kishte bërë me dije pronarit të këtij lokali se duhet të japë ryshfet.

Dje, rreth orës 15:00, pronari i lokalit ishte takuar me Bunjakun në lokalin “2000” në Gjilan dhe ky i fundit e kishte udhëzuar pronarin e lokalit “Elektroin” që të takoheshin në lokalin e tij.

Inspektori Bajrush Bunjaku dyshohet se rreth orës 16:30 ka shkruar në lokalin “Elektroin” dhe ka pranuar 2 mijë euro ryshfet nga pronari i këtij lokali.

Pasi që mori të hollat, Bunjaku u kap në flagrancë nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit.

Bunajku, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa Qerimi është liruar në procedurë të rregullt.

Gazeta Sinjali raportoi edhe më parë se hetuesit policorë kanë kontrolluar shtëpitë dhe zyrat e dy të arrestuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar para dhe gjësende të tjera.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/