Gazeta Sinjali raportoi sot për një incident që ka ndodhur te Ambulanca Specialistike në Spitalin Rajonal të Pejës, ku një person dyshohet se ka sulmuar një tjetër me shufër druri, si dhe e ka kërcënuar me vrasje. Policia intervenoi duke e arrestuar të dyshuarin, teksa viktima mori trajtim mjekësor. Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia e Kosovës, ndërkohë burimet kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit.
Siç mëson Sinjali, personi që po dyshohet në lidhje me këtë rast është Shain Murati, 65-vjeçar, i cili fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes, por më pas u kap nga Policia dhe u shoqërua në stacion policor.
Burimet nga Prokuroria njoftuan se sipas informacioneve të para i dyshuari e ka goditur me shufër druri një person tjetër, te Ambulanca Specialistike, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me babain e tij (babain e viktimës).
Sherri që plasi aktivizoi Policinë, me ç’rast disa njësi policore intervenuan, ku morën një deklaratë nga viktima e rastit (emër i njohur për redaksinë), i cili ka rrëfyer se i dyshuari e ka kërcënuar seriozisht duke i thënë “S’e lo pa t’vra, nuk i thom vetit njeri nëse nuk të vraj”.
Sinjali merr vesh se pas marrjes së informacioneve të para, Policia është vënë në ndjekje të të dyshuarit, i cili nuk e shijoi lirinë gjatë pasi u arrestua, me ç’rast gjatë kontrollit policor është sekuestruar edhe shufra e drurit.
Pas shoqërimit në Polici, i njëjti ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.