image "Si të niset 1 aeroplan, shpërthen..."/ Ky është mesazhi që bllokoi aeroportin me kërcënimin për bombë

Siguri

“Si të niset 1 aeroplan, shpërthen…”/ Ky është mesazhi që bllokoi aeroportin me kërcënimin për bombë

news image

Kërcënimi me mjete shpërthyese në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” alarmoi organet e rendit ditën e djeshme. Udhëtarët dhe personeli i aeroportit u evakuuan, por pas kontrolleve të kryera rezultoi se dy kërcënimet ishin të rreme. Sinjali ka siguruar mesazhin që ka shkuar në emailin e Aeroportit dhe që çoi në këmbë organet e rendit.  

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se kërcënimi shkoi në adresën elektronike zyrtare të aeroportit, ku thuhej se do të shpërthejë një bombë, në orët e pasdites.

Sinjali ka siguruar këtë mesazh, ku ndër të tjera shkruhej se “…sot kemi me ndez një bombë në Aeroportin e Prishtinë. Prej 16:30 si të niset 1 aeroplan ndizet bomba”.

Policia u njoftua menjëherë nga zyrtarët e aeroportit, me ç’rast njësitë përkatëse dolën në vendin e ngjarjes. Aeroporti u mbyll përkohësisht, për t’u hapur pas përfundimit të kontrolleve të kryera, ku nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes.

Teksa funksionimi dhe qarkullimi në aeroport iu kthye normalitetit, Policia vazhdoi me procedurat e tjera për inicimin e rastit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale tashmë kanë  nisur hetimet për këtë rast.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se në hapësirat e aeroportit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

 “Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Rasti po trajtohet nga njësitet kompetente”, është shprehur Ahmeti.

/GazetaSinjali/