image Si po gradon Behgjet Pacolli jashtëligjshëm njerëzit e afërt me të

Kosovë

Diplomaci/ Si po gradon Behgjet Pacolli jashtëligjshëm njerëzit e afërt me të

news image

Nuk është vetëm Ngadhnjim Makolli që në prag të zgjedhjeve të parakohshme është kontrabanduar në Shërbimin e Jashtëm nga ana e kryediplomatit në detyrë, Behgjet Pacolli. Janë edhe Liridon Sadrija e Ramiz Ismajli.

Të tre janë bashkëpunëtorë të Pacollit. Ata janë pajisur me grada diplomatike dhe janë emëruar në misione jashtë vendit nën arsyetimin se ishin përzgjedhur nëpërmjet një konkursi të shpallur në fund të marsit të sivjetmë. Por në listën e publikuar me të përzgjedhurit kurrkund nuk figurojnë emrat e tyre.

Pacolli është ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe e drejton Aleancën Kosova e Re (AKR). Makolli në 2017-n ishte zgjedhur kryetar i Degës së Dytë të kësaj partie, ndërkaq po atë vit Ismajli ishte zgjedhur nënkryetar i Degës së AKR-së në Gjilan. Në zgjedhjet e fundit lokale të dy ishin kandidatë të AKR-së për anëtarë të kuvendeve komunale – Makolli për në Prishtinë e Ismajli për në Gjilan. Në anën tjetër, Sadrija ishte këshilltar i Pacollit.

“Koha Ditore” ka siguruar të tria vendimet e gradimit dhe emërimit të tyre, të firmosura nga Pacolli.

“Z. Liridon Sadrija emërohet konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Hamburg/Republika Federale e Gjermanisë”, thuhet në njërin vendim. “Z. Liridon Sadrija i bëhet barasvlerësimi i gradës konsullore nga grada konsull në gradën diplomatike sekretar i parë”.

Përmbajtje e ngjashme e vendimit është edhe për njërin nga eksponentët e AKR-së në Gjilan.