Si në shumë vende tjera të botës, banimi me qira është një fenomen mjaft i përhapur edhe në Kosovë, e sidomos në Prishrinë. Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve zgjedhin të banojnë me qira, disa me familje e disa jo. Madje, Prishtina si kryeqytet, bëhet edhe shtëpi e dytë për studentët, shkruan Sinjali.
Ani pse qytetarët zgjedhin banimin me qira, për shkak të kostos më të ulët, kohëve të fundit ka pasur shumë ankesa për çmimet e larta të qirave të banesave e shtëpive.
Sinjali i ka pyetur qytetarët në lidhje me këtë dhe shumica prej tyre kanë thënë se çmimet e qirave për banim i konsiderojnë të larta.
Një qytetar ka krahasuar pagat e qytetarëve me çmimet e qirave.
“Për ata që punojnë për familje e fëmijët e tyre janë shumë shtrenjtë, për një infermier me një rrogë 500 euro e me qira 250 euro është shumë shtrenjtë, për një puntor që merr pagë 600 euro një qira 250 deri në 300 euro është shumë shtrenjtë…”, ka shkruar ai.
Njëjtë janë shprehur edhe disa komentues tjerë, të cilët po ashtu kanë përmendur pagat.
“Shuuuuumë në krahasim me rrogat që janë në KS”, thuhet në koment.
“Qysh jo, rroga 400 euro qiraja 500 ku ka ma mirë”, ka shkruar një tjetër komentues.
E një tjetër komentues ka thënë se dy persona duhet të punojnë për të paguar një qira.
“Po shumë 300 euro rroga, 350 qiraja duhet me punu dy veta per qira”.
Një tjetër qytetar ka thënë se përveç se çmimet janë të larta, as kualiteti nuk është i mirë.
“Shumë shtrenjtë dhe jo kualitet! Shkel e shko e bëjnë punën”, ka thënë komentuesi.
E disa qytetarë, kanë thënë se çmimet e qirave në Kosovë janë aq të shtrenjta, sa i kanë krahasuar me çmimet e qirave në vendet evropiane.
“Në Prishtinë ishin njëjtë si në Gjermani ose Francë”, është shprehur një qytetar.
“Shumë valla gati me Francë njëjtë”, ka shkruar një tjetër komentues.
E një qytetar tjetër ka thënë se më të përballueshme janë çmimet e qirave, se sa të shtëpive apo banesave në shitje.
“Besa qysh jon rritë çmimet ma hesap ki me nejt me qera se me ble krejt shpinë/banesen”, ka shkruar një komentues.
Ndërkaq, një komentues i ka konsideruar çmimet e qirave si të lira, për shkak të dëmeve që i bëjnë qiramarrësit gjatë kohës së banimit.
“Shumë lirë janë, se atë moment që ta lëshon qiramarrësi, pronari ta bën gati qiranë që ia ka marrë për 1 vjet të investojë në to, se 80% qira marrësve i dëmtojnë pronat apo i lojnë borxhe rrymë e ujë e shumë sene tjera”, ka shkruar komentuesi.