image Si ndodhi aksidenti tragjik në Vushtrri ku humbi jetën 22-vjeçari?

Siguri

Si ndodhi aksidenti tragjik në Vushtrri ku humbi jetën 22-vjeçari?

news image

Një manovër fatale në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë i kushtoi jetën Drilon Meniqit, 22-vjeçarit që po drejtonte një motoçikletë Yamaha mbrëmjen e së shtunës.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, aksidenti ndodhi rreth orës 22:55, në afërsi të mobilerisë “Berto” në Vushtrri. Në momentin kritik, një veturë VW Golf po lëvizte në drejtim të Prishtinës, ndërsa pas saj po qarkullonte motoçikleta që drejtohej nga 22-vjeçari.

Hetimet fillestare tregojnë se motoçikleta ka goditur pjesën e pasme të anës së majtë të veturës. Dyshohet se drejtuesi i motoçikletës nuk kishte arritur ta përshtaste shpejtësinë me kushtet e rrugës, çka bëri që distanca e sigurisë të mos ishte e mjaftueshme për të shmangur përplasjen.

Goditja rezultoi fatale. Pas kontaktit me veturën, Drilon Meniqi humbi kontrollin mbi motoçikletën, doli nga trajektorja e lëvizjes, kaloi mbi ndarjen fizike që ndan dy drejtimet e qarkullimit dhe u hodh në korsinë e kundërt të rrugës.

Përplasja me asfaltin ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme. Motoçikleta dhe drejtuesi i saj përfunduan në drejtimin Prishtinë–Mitrovicë, ndërsa lëndimet e marra rezultuan të papërballueshme.

Ekipet emergjente që mbërritën në vendin e ngjarjes nuk arritën t’i ofronin ndihmë, pasi 22-vjeçari kishte ndërruar jetë në vend. Vdekja e tij u konstatua nga mjeku kujdestar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Mitrovicë po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit që i mori jetën të riut.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/