image Si mund të ndihmojë telefoni për ta luftuar përhapjen e koronavirusit?

Botë

Pandemia/ Si mund të ndihmojë telefoni për ta luftuar përhapjen e koronavirusit?

news image

Tashmë ka nisur një garë botërore nga kompanitë dhe qeveritë për të krijuar një aplikacion apo një sistem survejimi për aparatet celularë që do të shërbente për të gjurmuar dhe penguar përhapjen e koronavirusit.

Google dhe Apple, dy kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e softuerëve, deklaruan se janë duke bashkëpunuar për të krijuar një aplikacion i cili do të identifikojë dhe më pas të vërë në dijeni personat që kanë pasur kontakt me të infektuar me Covid-19.

Por si mundet një aparat celular të ndihmojë për të luftuar koronavirusin?

Smartphon-ët regjistrojnë vendndodhjen e tyre, nëpërmjet sinjalit të antenave celulare, përdorimit të Wi-Fi, sinjalit GPS apo Bluetooth-it me të cilin lidhen me aparatet celularë të personave që kanë pranë. Këto të dhëna japin informacion nëse dikush ka thyer urdhrin për të qëndruar në shtëpi, apo nëse këta persona kanë pasur kontakt me të tjerë të cilët tashmë janë të riregjistruar si mbartës të virusit. Duke përdorur Bluetooth-in lidhesh me telefona të tjerë që janë aty pranë. Kur dikush infektohet, menjëherë është gati lista me kontaktet më të ngushta të personit të infektuar. Telefonave në listën e Bluetooth-it të të infektuarit, do t’i dërgohen mesazhe për t’i informuar që mund të jenë të infektuar dhe duhet të konsultohen me mjekun, të testohen dhe të vetëkarantinohen.

Ky sistem gjurmimi nëpërmjet aplikacioneve shihet si më efektiv sesa metoda tradicionale që përdoret aktualisht, dhe që kërkon staf të gjerë për të marr në pyetje të infektuarit mbi lëvizjet e tyre e më pas për të telefonuar një nga një të gjithë kontaktet që rrezikojnë të jenë infektuar prej tyre.

Kjo metodë gjurmimi testohet aktualisht në disa vende të botës. Singapori përdori aplikacionin “TraceTogether” (gjurmojmë së bashku) që në bazë të tij ka pikërisht gjurmimin nëpërmjet Bluetooth-it. Aplikacione të ngjashme kanë vënë në përdorim edhe Izraeli, India, Koreja e jugut, Tajvani etj. /Gazeta Sinjali/